
Presidenti amerikan akuzon liderët evropianë për paaftësi, kritikon qasjen ndaj luftës në Ukrainë dhe deklaron se hyrja e Kievit në NATO nuk ka qenë kurrë një opsion real.
Donald Tramp ka sulmuar ashpër udhëheqësit e vendeve evropiane, duke i quajtur të pasigurt dhe pa vizion, ndërsa paralajmëron se Europa po rrezikon shpërbërjen. Në një intervistë për Politico, ai tha se kontinentin e vuan nga mungesa e vendimmarrjes dhe nga qasja tepër korrekte ndaj krizave, sidomos në raport me luftën në Ukrainë dhe menaxhimin e kufijve.
Sipas Tramp, Rusia është në pozicion më të fortë në negociatat e paqes dhe Kievi duhet të tregojë fleksibilitet nëse dëshiron t’i japë fund konfliktit. Ai tha se i ka dorëzuar Ukrainës një projekt-marrëveshje të re paqeje, që sipas tij është pritur pozitivisht nga disa zyrtarë, por jo i shqyrtuar zyrtarisht nga presidenti Volodymyr Zelensky.
Tramp kritikoi europianët se prodhojnë më shumë deklarata se rezultate, ndërsa lufta vazhdon pa një afat përmbyllës. Ai përmendi se Ukraina duhet të zhvillojë zgjedhje të reja dhe vuri në pikëpyetje funksionimin demokratik gjatë kohës së luftës.
Sa i përket anëtarësimit në NATO, Tramp u shpreh se nuk ka qenë kurrë realisht në tryezën e vendimmarrjes dhe se çështja është ditur prej vitesh. Ai tregoi një episod nga takimi i parë mes Zelenskyt dhe Putinit, të cilin e përshkroi si një negociim ku Zelensky kërkonte rikthimin e Krimesë dhe anëtarësimin në NATO, duke e quajtur atë një shitës të aftë në retorikë dhe kërkesa politike.
Tramp theksoi se lufta nuk do të kishte nisur nëse ai do të ishte në postin e presidentit dhe paralajmëroi se përplasja mes dy vendeve rrezikon të thellojë krizat globale. Ndërkohë, ai nuk e përjashtoi mbështetjen për figura politike në Europë që ndajnë vizion të ngjashëm me të, duke përmendur shembullin e kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
