Presidenti amerikan deklaron se vendi i tij do të rifillojë testet e armëve bërthamore për t’u vënë në barazi me Rusinë dhe Kinën, duke rikthyer tensionet globale në atmosferën e një lufte të ftohtë të re.
Në një vendim që ka tronditur opinionin ndërkombëtar, presidenti amerikan Donald Tramp ka urdhëruar ushtrinë dhe Departamentin e Mbrojtjes të nisin menjëherë testet e armëve bërthamore të Shteteve të Bashkuara. Vendimi u bë publik në orët e para të mëngjesit të së enjtes (sipas orës së Parisit) përmes rrjetit të tij social Truth Social, ku Trump theksoi se ky hap ishte i domosdoshëm për shkak të programeve të testimeve të zhvilluara nga vende të tjera si Rusia dhe Kina.
Kam kërkuar nga Departamenti i Luftës të fillojë testet e armëve tona bërthamore në mënyrë të menjëhershme, për t’u vënë në të njëjtin nivel me vendet që tashmë po kryejnë prova të tilla, shkroi Trump. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara zotërojnë më shumë armë bërthamore se çdo vend tjetër në botë, Rusia është e dyta, ndërsa Kina po e afrohet me shpejtësi.
Ky vendim vjen vetëm pak ditë pas deklaratës së presidentit rus Vladimir Putin, i cili konfirmoi testimin e një droni nëndetar me kapacitet bërthamor, të quajtur Poséidon, si dhe të raketës Bourevestnik, që sipas Kremlinit ka rreze të pakufizuar veprimi. Tramp e kishte cilësuar testimin rus si të papërshtatshëm dhe kishte bërë thirrje që Moska të përqendrohej në përfundimin e luftës në Ukrainë, por reagimi i tij duket se ka marrë tani një drejtim të ri, shumë më agresiv.
Urdhri i Tramp vjen në prag të një takimi të rëndësishëm me presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut, ku pritet të diskutohet edhe për luftën tregtare mes dy fuqive më të mëdha ekonomike të botës. Por vendimi për testime bërthamore ka shtuar ndjeshëm tensionet diplomatike, me shumë analistë që paralajmërojnë për rikthimin e klimës së Luftës së Ftohtë.
Sipas mediave amerikane, Pentagoni po përgatitet për testet e para në më shumë se tri dekada, ndërkohë që aleatët në NATO janë njoftuar për vendimin. Deri më tani, as Moska dhe as Pekini nuk kanë reaguar zyrtarisht, por ekspertët paralajmërojnë se ky hap mund të nxisë një garë të re armatimesh bërthamore dhe të vërë në pikëpyetje traktatet ndërkombëtare për kontrollin e armëve strategjike.
Në një kohë kur bota përballet me kriza të shumta, nga lufta në Ukrainë deri te tensionet në Lindjen e Mesme vendimi i Tramp për të rifilluar testet bërthamore e zhvendos sërish botën drejt një epoke të pasigurt të frikës atomike, duke rikujtuar periudhën e errët të shekullit të kaluar.
