

Florence dhe Stella Belmondo akuzojnë vëllain e tyre, Paul, për përvetësim të pasurisë, me një dëm të dyshuar mbi 100 milionë euro
Pas vdekjes së Jean-Paul Belmondo-s, ikonës së kinemasë franceze, në shtator 2021, trashëgimia e tij është kthyer në një betejë të ashpër familjare. Sipas një raportimi të fundit nga portali francez L’Informé, vajzat e aktorit, Florence dhe Stella, kanë akuzuar vëllain e tyre Paul për përvetësim të paligjshëm të pasurisë së trashëguar. Dy motrat pretendojnë se vëllai i tyre ka përfituar dhurata e pasuri që duhet të ishin përfshirë në ndarjen e trashëgimisë, duke përfshirë shuma të mëdha parash dhe prona luksoze.
Sipas akuzave, shuma e përvetësuar arrin mbi 100 milionë euro. Në qendër të konfliktit është një policë sigurimi jete e nënshkruar nga Belmondo në vitin 1994 me vlerë 2 milionë euro, ku ndarja ishte përcaktuar qartë: 50% për Stella, 40% për Paul dhe 10% për Florence. Noteri i ngarkuar me administrimin e pasurisë i kërkoi Paul-it të transferonte 620 mijë euro tek motrat, por kjo nuk është zbatuar siç duhet.
Një tjetër pikë e nxehtë është një vilë luksoze në ishullin Antigua në Karaibe, për të cilën Stella pretendon se është dhuruar në mënyrë të fshehtë dhe të paligjshme tek Paul. Po ashtu, Florence ka ngritur akuza se vëllai i saj ka përfituar në mënyrë të padrejtë gjysmën e kapitalit të kompanisë imobiliare New Century Development, të vlerësuar në 93 milionë euro. Konflikti përfshin gjithashtu edhe aksionet në shoqërinë e prodhimit Ceroto Films, të cilat Florence thotë se kanë pasur vlerën e 10 milionë eurove.
Nga ana e tij, Paul Belmondo ka mohuar të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se veprimet e tij kanë qenë të ligjshme dhe se një pjesë e pasurisë i ka ardhur si trashëgimi nga gjyshi i tij, skulptori Paul Belmondo. Ndërkohë, gjykata ka rrëzuar kërkesën urgjente të motrave, duke theksuar se në këtë fazë, nuk ka prova të mjaftueshme për të provuar akuzat e recelit.
Megjithatë, Florence dhe Stella nuk kanë ndërmend të ndalen dhe beteja ligjore pritet të vazhdojë. Çështja e trashëgimisë së Belmondo-s, që po ndjek rrugën e polemikave të ngjashme me familjet e yjeve francezë si Johnny Hallyday apo Alain Delon, është shndërruar tashmë në një sagë gjyqësore që ndjek me interes e gjithë Franca.
Historia e trashëgimisë së Belmondo-s dëshmon se edhe pasuria e një artisti që u adhurua nga miliona shikues mund të kthehet në burim përçarjeje mes trashëgimtarëve të tij.