18 vjet më parë, u nda nga jeta regjisorja aq e dashur për publikun, Xhanfize Keko.
E njohur si regjisorja që ngriti në një nivel të lartë filmin për fëmijë, Xhanfize Keko u nderua dhe vlerësua jo vetëm nga spektatori. Ajo mban titullin “Nderi i Kombit” dhe mbetet një emër i paharruar i kinematografisë shqiptare dhe një zë i rrallë me ndjeshmëri artistike.
Xhanfize Çipi Keko lindi më 27 janar të 1928, në Gjirokastër. I kreu studimet në Moskë për montazh kinomatografik. Një suport në karrierën e saj ishte edhe bashkëshorti, regjisori dokumentarist Endri Keko.
Pionierja e filmit shqiptar për fëmijë e nisi rrugëtimin e saj artistik që në vitin 1952, si montazhiere dhe dokumentariste.
Në karrierën e saj, realizoi 12 filma artistike të metrazhit të gjatë të cilët u vlerësuan edhe jashtë vendit. Filmat e saj nuk ishin thjesht histori në ekran, por edhe mësime njerëzore dhe kujtime që vijojnë të jetojnë me publikun.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në këtë përvjetor të humbjes së saj, u shpreh se, Xhanfisja i dha fëmijërisë sonë fytyrë, zë dhe ëndërr, duke e parë botën me sy të pastër e zemër të madhe.
