Denis Hajmerraj, babai i 3 fëmijëve të mitur që ishin prekur nga zgjebja, për shkak të kushteve jo të mira higjeno-sanitare që i kishte lënë nëna e tyre, Blerina Basha, i është drejtuar gjykatës së Durrësit duke kërkuar marrjen e kujdestarisë për 3 fëmijët e mitur.
Gazetari Elton Qyno për Syri.net ka mësuar se kërkesë padia është depozituar në sekretarinë e gjykatës së Durrësit, ku babai i fëmijëve, ka kërkuar heqjen e kujdestarisë së fëmijëve ndaj nënës së tyre dhe kalimin e kujdesit tek babai i tyre, Denis Hajmerraj.
Në kërkesë padi, Hajmarraj ka ngritur një sërë pretendimesh të shoqëruara me prova konkrete, duke argumentuar se ish-gruaja e tij, Blerina Basha, nuk është në gjendje fizike, gjendje sociale, gjendje emocionale dhe gjendje ekonomike për ti shërbyer, kujdesur dhe prindëruar 3 fëmijët e tij.
Denis Hajmerraj, ka depozituar në gjykatë dhe një seri faturash financiare të kryera prej tij në institucione arsimore në Breshia të Italisë, duke shtuar se fëmijët kanë ndjekur rregullisht shkollën në Itali, gjatë kohës kur qëndronin me babain e tyre.
Ndërkohë një sërë videosh, të shkarkuara nga rrjetet sociale “Tik-Tok” dhe “Instagram”, i janë dërguar gjykatës si provë, që tregojnë se Blerina Basha, nuk kujdeset për fëmijët e saj për qëndron Live me burra të tjerë në “Tik-Tok” dhe rrjete të tjera sociale.
Një tjetër argument është dhe fakti i udhëtimeve të shpeshta jashtë shtetit të Blerina Bashës, e cila nuk ka qenë e shoqërua me 3 fëmijët, të cilët i ka lënë të vetëm në banesë dhe është larguar. Për këtë babai ka dorëzua provat nga sistemi TIMS, ku evidentohen udhëtimin e ish-gruas pa prezencën e 3 fëmijëve.
Lidhur me këtë çështje pritet që në ditët në vijim të hidhet shorti elektronik për zgjedhjen e gjyqtarit që do gjykojë rastin e kujdestarisë së fëmijëve të mitur.
Rasti i 3 fëmijëve të prekur nga zgjebja, mori vëmëndje të madhe publike dhe mediatike, pasi fillimisht ata u gjendën nga komshinjtë e pallatit dhe më pas ishte gjyshja e tyre që zbuloi kushtet e tmerrshme higjeno-sanitare, ku jetonin prej disa ditësh të vetëm 3 fëmijët e mitur.
Fëmijët kishin 1 muaj e gjysmë pa shkuar në shkollë. Pas skandalit nëna e tyre, Blerina Basha, u procedua nga policia e Durrësit për akuzën e “Keqtrajtimit të të miturve”.
Ndërkohë rasti ishte referuar më parë nga psikologia e shkollës “Bajram Curri” në bashkinë e Durrësit, për të marrë masa por kjo bashki deri në bërjen publik të rastit nuk mori asnjë masë për trajtimin social të fëmijëve.
