Izraeli kryen sulmin e parë ajror në nëntë muaj në territorin e pushtuar, duke vrarë tre palestinezë në fshatin Kafr Qud të Jeninit
Tensionet në Bregun Perëndimor janë përshkallëzuar sërish, pasi tre palestinezë u vranë në një operacion ushtarak të ushtrisë izraelite në fshatin Kafr Qud, në veri të Jeninit. Sipas burimeve lokale, sulmi përfshiu zjarr nga toka dhe një goditje ajrore që shkaktoi shpërthime dhe zjarre në tokat bujqësore përreth.
Ushtria izraelite ka konfirmuar ndërhyrjen, duke deklaruar se objektivi i operacionit ishte “një qelizë terroriste”, ndërsa përveç tre të vrarëve është raportuar edhe një i plagosur. Dëshmitarët në terren thanë se fillimisht janë dëgjuar të shtëna armësh pranë një shpelle dhe më pas një sulm ajror që goditi një automjet, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që përfshiu në flakë ullishtet përreth.
Ky është sulmi i parë ajror i regjistruar në Bregun Perëndimor pas nëntë muajsh, në një kohë kur ushtria izraelite ka shtuar ndjeshëm operacionet në këtë rajon që prej fillimit të vitit. Prej muajit janar, ndërhyrjet ushtarake në kampet e refugjatëve dhe komunitetet palestineze në veri të Bregut Perëndimor kanë shkaktuar dhjetëra viktima dhe dëme të mëdha materiale.
Sipas të dhënave të autoriteteve palestineze, që nga tetori i vitit 2023 e deri më sot, mbi 1,050 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 10,000 të tjerë janë plagosur gjatë operacioneve të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor, krahas luftimeve të ashpra që vazhdojnë në Rripin e Gazës.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa organizatat humanitare paralajmërojnë për një krizë të thellë humanitare në zonat palestineze të goditura nga operacionet ushtarake izraelite.
