
Vendimi për lirimin e tregut industrial brenda tri ditësh shkakton tensione, tregtarët kërkojnë zgjidhje dhe takim me drejtuesit e bashkisë
Tregtarët e qytetit të Vlorës janë ngritur në protestë ditën e sotme kundër vendimit të Bashkia e Vlorës për mbylljen e përkohshme të tregut industrial. Si shenjë kundërshtimi, ata kanë braktisur aktivitetin dhe janë grumbulluar përpara godinës së bashkisë, duke kërkuar takim me kryebashkiaken Bruna Mersini.
Sipas tregtarëve, takimi i zhvilluar një ditë më parë nuk solli asnjë zgjidhje konkrete, çka ka përshkallëzuar situatën. Gjatë protestës së sotme, një grup qytetarësh hyri me forcë në ambientet e bashkisë, duke e tensionuar edhe më tej klimën.
Protesta lidhet me vendimin e bashkisë për ndërtimin e një tregu të ri dhe urdhrin për lirimin e hapësirës aktuale brenda një afati tri-ditor, pa ofruar më parë një zgjidhje të përkohshme për zhvendosjen e tregtarëve. Ata shprehen se janë njoftuar në mënyrë të papritur dhe se një veprim i tillë rrezikon t’i lërë pa të ardhura.
Tregtarët theksojnë se janë të pajisur me kontrata të rregullta me bashkinë dhe se largimi i menjëhershëm përbën shkelje të marrëveshjeve ekzistuese. Gjatë tensioneve, ata janë përplasur verbalisht me nënkryetaren e bashkisë, Irena Toshkallari, duke kërkuar një zgjidhje të drejtë dhe të menjëhershme.
Pas diskutimeve, është arritur një dakordësi paraprake sipas së cilës tregtarët do të vijojnë të qëndrojnë në ambientet aktuale deri në gjetjen e një hapësire të përshtatshme për zhvendosje, ndërkohë që paralelisht pritet të nisë puna për ndërtimin e tregut të ri. Situata mbetet ende nën vëzhgim, ndërsa tregtarët paralajmërojnë se do të vijojnë reagimet nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
