Gazmend Paja, aktori i programit kabaret “Portokalli”, ka vendosur të pezullojë aktivitetin e kompanisë, me të cilin fitoi statusin e “investitorit strategjik”, për ndërtimin e një kompeksi turistik në Dhërmi, për një vlerë prej rreth 14 milionë euro.
Në 19 janar të këtij viti, ai njoftoi Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) se ka vendosur të pezullojë për një afat të pacaktuar veprimtarinë tregtare të shoqërisë “Echotec Energy Service”.
Në dokumentin e siguruar nga “Boldnews.al” nuk jepen arsyet e këtij vendimi, megjithatë lëvizja e Gaz Pajës ngre pikëpyetje mbi të gjithë historinë e shpalljes së tij si “investitor strategjik”.
Nga gaztor, në investitor strategjik
Gazmend Paja, një aktor prej vitesh në skenën e Portokallisë, në mënyrë paralele ka ushtruar edhe aktivitetin privat në fushën e beach-barit, në zonën e Dhërmiut, në bregdetin jugor të Shqipërisë.
Gjithashtu, ai është i njohur për raportet e ngushta dhe publike me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Aktori Gazmend Paja nuk e ka fshehur asnjëherë miqësinë me Veliaj. Ai është përfshirë rregullisht në fushatat elektorale për Partinë Socialiste në Tiranë. Gjithashtu, emri i Pajës rezulton edhe në dosjen hetimore që ka hartuar Prokuroria e Posaçme ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
SPAK-u thotë se ka zbuluar një apartament të fshehur të Veliajt tek zona rezidenciale “Kodra e Diellit” në Tiranë, një pronë e cili më parë ishte përdorur nga Gazmend Paja. Për këtë episod, Prokuroria e Posaçme akuzon Veliajn për “fshehje pasurie” dhe ndërtuesin Gentian Sula se është përpjekur të fshehë gjurmët e veprës penale. Ndërkohë, pas deklarimeve të dhëna në Prokurori, aktori Gazmend Paja e ka përjashtuar veten nga çdo dyshim të mundshëm.
Në vitin 2019, Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), një strukturë që drejtohet nga Rama, miratoi statusin e investitorit strategjik për projektin “Dhërmi Resort”.
Sipas vendimit, projekti do të realizohej nga kompanitë “Startek” dhe “Echotec Energy Service” dhe vlera e tij përllogaritej në rreth 14 milionë euro.
Dokumentat zyrtare tregojnë se kompeksi turistik do të ndërtohej në një sipërfaqe 133 mijë metra katrorë, në territorin e Himarës.
