
Prokuroria vë nën sekuestro apartamente, automjete dhe një njësi biznesi, pas dyshimeve për pastrim parash nga veprimtaria kriminale
Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 400 mijë euro të shtetasit Arjan Rrokaj, i cili rezulton i dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, nën sekuestro janë vënë tre automjete luksoze, tre apartamente dhe një njësi biznesi. Hetimet janë kryer në kuadër të procedimit penal nr. 1125 të vitit 2020, për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Prokuroria bën me dije se Arjan Rrokaj nuk ka mundur të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive të krijuara, çka ka sjellë kërkesën për sekuestrim pasuror ndaj tij dhe familjarëve.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë dy apartamente në Vlorë, një apartament në Tiranë, një njësi tregtare në Vlorë, si dhe automjete të markave Toyota Corolla, Volvo XC60 dhe Mercedes Benz GLA, të regjistruara në emër të familjarëve të tij.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka pranuar kërkesën e organit të akuzës, duke vendosur masën e sigurimit pasuror sekuestrim preventiv për të gjitha pasuritë e përfshira në këtë çështje.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht origjinën e këtyre pasurive dhe lidhjen e tyre me aktivitetin e dyshuar kriminal.
