
Tre shkencëtarë nga Britania, Franca dhe SHBA nderohen me çmimin më të lartë në botën e shkencës për eksperimentet që sollën teorinë kuantike në realitetin e përditshëm, duke hapur epokën e re të kompjuterëve kuantikë.
Royal Swedish Academy of Sciences ka shpallur fituesit e Çmimit Nobel në Fizikë 2025, duke nderuar tri figura të shquara të shkencës moderne: John Clarke, fizikan britanik në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, Michel Devoret, fizikant francez në Universitetin Yale, dhe John Martinis, nga Universiteti i Kalifornisë në Santa Barbara. Tri studiuesit ndajnë çmimin prej rreth 871 mijë paund për kërkimet që provuan se ligjet misterioze të botës kuantike nuk janë vetëm teori abstrakte, por mund të ndikojnë drejtpërdrejt në realitetin që na rrethon.
Puna e tyre revolucionare përfshiu ndërtimin e sistemeve elektrike superpërcjellëse, të afta të “tunelojnë” nga një gjendje fizike në tjetrën, një fenomen i njohur si tunneling kuantik, i cili në botën klasike do të ishte i pamundur. Në terma të thjeshtë, ky zbulim është ekuivalenti i një topi që kalon përmes murit pa e thyer atë, duke sfiduar intuitën tonë mbi mënyrën se si funksionon materia. Ky përparim hodhi themelet për zhvillimin e teknologjisë kuantike, përfshirë kriptografinë kuantike, kompjuterët kuantikë dhe sensorët e saktësisë ekstreme, që pritet të revolucionarizojnë industrinë, shëndetësinë dhe sigurinë kibernetike.
Në konferencën për shtyp, profesori John Clarke u shpreh i tronditur nga lajmi:“Ta them me butësi, ishte surpriza e jetës sime,” – tha ai me buzëqeshje, pasi u informua për çmimin përmes një telefonate nga Akademia.
Ndërsa Michel Devoret theksoi se ajo që dikur dukej metafizikë, tani është inxhinieri, duke nënvizuar se fizika kuantike po hyn në epokën e aplikimeve reale që do të transformojnë mënyrën se si jetojmë dhe komunikojmë.
Ekspertët e kanë cilësuar këtë çmim si një fitore për shkencën e mendjes njerëzore ndaj kufijve të perceptimit, duke rikujtuar se mekanika kuantike është baza mbi të cilën ndërtohet çdo teknologji moderne, nga mikroçipat deri te inteligjenca artificiale. Ky Nobël, sipas Akademisë, është një shenjë e besimit në fuqinë e kërkimit themelor, që pavarësisht se duket i paarritshëm, një ditë mund të ndryshojë botën.