Pas muajsh pezullimi dhe hetimesh, sportistja Imogen Simmonds është shpallur e pafajshme nga Agjencia Ndërkombëtare e Testimeve, pasi rezultoi se substanca e ndaluar iu transmetua përmes kontaktit intim me partnerin e saj
Triatlonistja zvicerane Imogen Simmonds është liruar nga të gjitha akuzat për doping, pasi hetimet zbuluan se prania e substancës së ndaluar në trupin e saj ishte pasojë e kontaminimit seksual dhe jo e përdorimit të qëllimshëm.
Simmonds, 32 vjeç, kishte rezultuar pozitive për substancën ligandrol, një stimulues i rritjes së masës muskulore, gjatë një testi të papritur jashtë garës më 8 dhjetor 2024. Pas rezultatit, ajo u pezullua nga aktivitetet sportive nga Agjencia Ndërkombëtare e Testimeve (ITA) dhe rrezikonte ndalim shumëvjeçar.
Në hetimet që pasuan, sportistja këmbënguli se nuk kishte konsumuar kurrë substanca të ndaluara dhe se rezultati ishte pasojë e kontaktit intim me partnerin e saj, i cili përdorte suplementë që përmbanin ligandrol. Analizat e mëvonshme, përfshirë një test flokësh, konfirmuan mungesën e substancës në organizmin e saj në periudha të tjera.
Në deklaratën zyrtare, ITA konfirmoi se Simmonds kishte provuar se prania e ligandrolit në trupin e saj ishte rezultat i kontaminimit të pavetëdijshëm përmes kontaktit intim dhe se ajo nuk kishte asnjë faj apo neglizhencë.
Pas shpalljes së pafajësisë, Simmonds reagoi me emocion në rrjetet sociale:
Jam e mbushur me lehtësim të jashtëzakonshëm. Pas muajsh ankthi dhe humbjes së dinjitetit, drejtësia u bë. U provua se nuk kam pasur asnjë qëllim për të mashtruar apo për të fituar në mënyrë të padrejtë.
Vendimi i ITA-së e rikthen triatlonisten menjëherë në garë, pas një periudhe ku karriera e saj sportive rrezikoi të shkatërrohej nga një rast i pazakontë që tronditi botën e sportit ndërkombëtar.
