Gazetari i njohuri i kronikës, Artan Hoxha është shprehur se skuadra e vrasësve që kreu atentatin në rrethrrotullimin e Rinasit dy ditë më parë, është e njëjta që ka gisht në ekzekutimin mafioz të Brilant Martinaj në Fushë Krujë.
Në një lidhje direkte me Euronews Albania, Artan Hoxha theksoi se i njeh ata persona, dhe fatkeqësisht sipas tij, ata dalin shumë rrallë në terren dhe kanë 100% rezultat.
“Kjo është një ngjarje që ka shumë mesazhe brenda. Nuk është zgjedhur kot ai vend. Vazhdimisht kam folur për një skuadër pushkatimi e cila zakonisht është rezultative dhe nuk del shpesh në aktivitet, por sa herë del, rendimenti për fat të keq është 100 përqind dhe nuk është e mundur të kapet nga agjencitë tona.
Në fakt, është një skuadër e frikshme dhe ka kryer atentate jashtëzakonisht të organizuara. Kam nxjerrë fotot e tyre para 4 viteve dhe emrat.
Është një skuadër vrasjesh. Patjetër është e njëjta. Kanë vepruar në Durrës, Fushë-Krujë, mbani mend ekzekutimin e Brilant Martinaj. Ata përdorin zakonisht veshje të policisë. Nuk janë ushtarakë për mua”, është shprehur gazetari i kronikës, Artan Hoxha.
Vrasja e Brilant Martinaj dhe dy miqve të tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata ishte një ndër ngjarjet më të bujshme të verës 2022. Një vrasje e cila tronditi thellë jo vetëm botën e krimit për nga rëndësia e saj, por që në vetvete paralajmëroi edhe fundin e një kapitulli, atë të mbretërimit të Ervis Martinaj.
Ishte mesdita e 17 korrikut 2022 kur në mbikalimin e Fushë-Krujës Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij u ekzekutuan egërsisht. Qindra plumba u derdhën mbi tre të rinjtë, ndërsa makina shpërtheu në flakë dhe trupat e tyre u shkrumbuan.
Ndërkohë, dy ditë më parë në rrethrrotullimin e Rinasit, u ekzekutua me armë zjarri Gilmando Dani, eksponent i lartë i botës së krimit dhe grupit Shullazi, ndërkohë që i plagosur rëndë mbeti miku i tij Muçi Shaljani, i cili po lufton për jetën në spital.
