
I mituri u përfshi nga flakët për disa sekonda pasi përdori një çakmak mbi një sprej ajri, mjekët flasin për pasoja që mund të kishin qenë vdekjeprurëse
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Britaninë e Madhe, ku një djalë 13-vjeçar ka pësuar djegie të rënda në fytyrë, qafë dhe duar pasi ndezi aksidentalisht një kanaçe aerosoli brenda dhomës së tij. I mituri, Joe Mitchell, u përfshi nga flakët për rreth 10 sekonda, ndërsa rrobat iu dogjën dhe zjarri u përhap deri në kokë dhe muret e shtëpisë.
Sipas familjes, ngjarja ndodhi kur adoleshenti përdori një sprej ajri për të pastruar konsolën e lojërave dhe, duke menduar se ishte bosh dhe i ngrirë, u përpoq ta ngrohte me një çakmak. Lënda e ndezshme e aerosolit ishte ngjitur në bluzën e tij, duke shkaktuar shpërthimin e flakëve sapo u afrua zjarri.
Babai i djalit reagoi menjëherë, i hoqi rrobat që digjeshin dhe e futi në një dush me ujë shumë të ftohtë, veprim që sipas mjekëve i shpëtoi jetën dhe shmangu djegie më të thella. I mituri u transportua me urgjencë në spital dhe u shtrua në repartin e djegieve, ku iu hoqën shtresat e lëkurës së dëmtuar.
Mjekët konfirmuan se djali kishte pësuar rreth 4 për qind djegie në fytyrë, qafë dhe duar, por fatmirësisht dëmtimet ishin sipërfaqësore dhe ai u lejua të kthehej në shtëpi pas katër ditësh. Sipas tyre, pa ndërhyrjen e menjëhershme me ujë të ftohtë, pasojat do të kishin qenë shumë më të rënda dhe potencialisht fatale.
Nëna e tij ka bërë thirrje publike për ndërgjegjësim, duke paralajmëruar se aerosolët janë jashtëzakonisht të rrezikshëm në kontakt me flakën. Ajo thekson se shumë njerëz, jo vetëm fëmijët, nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun e madh që paraqesin këto produkte të zakonshme shtëpiake.
Ajo apelon që prindërit dhe të rinjtë të mos i afrojnë kurrë flakën aerosolëve, duke nënvizuar se një veprim i pamenduar për disa sekonda mund të përfundojë në pasoja shkatërruese për gjithë jetën.
