
28-vjeçari nga Kukësi dyshohet se u ekzekutua për shkak të një ngarkese të humbur kokaine, një mesazh i frikshëm i mafies në zemër të BE.
Një skenë makabre ka tronditur Brukselin, ku autoritetet belgë gjetën të varur në një tabelë të Unazës së Madhe trupin e një shqiptari. Viktima është identifikuar si Bekim Halilaj, 28 vjeç, me origjinë nga Bicaj i Kukësit.
Sipas të dhënave, Halilaj ishte i përfshirë në rrjete të trafikut të kokainës dhe ekzekutimi i tij lidhet me humbjen e një sasie të madhe droge. Dyshohet se ai është rrëmbyer, vrarë dhe më pas lënë i varur në një nga zonat më të populluara të Brukselit, si një mesazh i qartë mafioz për rivalët..
Pamja e trupit të varur ka tronditur kalimtarët belgë. Disa madje e ngatërruan fillimisht me dekorime të festës së Halloween, derisa policia konfirmoi tragjedinë.
Familja e të riut jeton në Bicaj të Kukësit. Babai i tij është invalid, ndërsa një motër përballet me probleme shëndetësore. Halilaj kishte emigruar fillimisht në Angli në kërkim të një jete më të mirë, por vite më vonë rezultoi i përfshirë në grupe kriminale shqiptare.
Në vitin 2017, emri i tij ishte përmendur në dosje policore së bashku me tre persona të tjerë: Noi Muçmata, Fitim Halilaj dhe Tomas Hela.
Trupi i 28-vjeçarit pritet të kthehet në Shqipëri, ndërsa autoritetet belge vijojnë hetimet për një ekzekutim që ka shokuar opinionin publik dhe ka rindezur frikën se metodat e dhunshme të karteleve janë zhvendosur në Europë.