
Ikona e serialit “Oktapodi” dhe një nga figurat më të fuqishme të ekranit evropian mbyll sytë përgjithmonë në Monako, në moshën 76-vjeçare.
Bota e artit është në zi. Remo Girone, aktori i madh italian i cili i dha jetë personazhit të paharrueshëm “Tano Caridi” në serialin kult ” Oktapodi”, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Ai u shua në banesën e tij në Monako, ku prej vitesh jetonte me bashkëshorten Vittoria, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në teatër dhe kinematografi.
I lindur në Asmara të Eritresë, Girone hyri në historinë e televizionit me interpretimin e Caridit, figurës simbol të lidhjes mes mafies dhe financave, që e bëri një ikonë të përjetshme. Shikimi i tij i akullt dhe prania imponuese mbetën të gdhendura në kujtesën kolektive, duke shndërruar “Oktapdin” në një fenomen kulturor.
Por karriera e tij nuk u kufizua vetëm te ky rol. Girone bashkëpunoi me emra të mëdhenj të kinemasë si Ettore Scola, Peter Greenaway e Andrea Molaioli, duke dëshmuar një shkathtësi aktoriale të rrallë. Ai la gjurmë edhe në skenën ndërkombëtare, duke u shfaqur në filma të suksesshëm si “Le Mans ’66”, ku portretizoi Enzo Ferrarin, komedinë “Çfarë na thotë truri” dhe së fundmi në “The Equalizer 3”.
Largimi i tij shënon fundin e një epoke, ndërsa kinemaja italiane dhe ajo botërore humbasin një nga figurat më të mëdha të saj. Remo Girone nuk ishte vetëm “Tano Caridi”, ai ishte arti i mishëruar në çdo rol që preku.