
Tre hajdutë të maskuar depërtuan me skuterë në muzeun më të famshëm të botës, duke marrë bizhuteri perandorake të koleksionit të Napoleonit dhe Perandoreshës Eugenie
Një nga grabitjet më të guximshme të dekadës ka ndodhur në zemër të Parisit, në Muzeun e Luvrit, ku një bandë prej tre personash arriti të vjedhë nëntë bizhuteri me vlerë të paçmueshme nga Galeria “Apollon”, salla ku ruhen reliket më të çmuara të Francës perandorake.
Sipas të dhënave të policisë franceze, ngjarja ndodhi mes orës 9:30 dhe 9:40 të mëngjesit të së dielës. Hajdutët mbërritën me dy skuterë, hynë në ndërtesë nga ana e lumit Sena, ku po kryheshin punime dhe përmes një ashensori shërbimi u ngjitën direkt në katin e parë të muzeut. Të veshur me kapuçë dhe pajisur me sharra elektrike, ata çanë dritaret dhe depërtuan në Galerinë “Apollon”, duke thyer dy vitrina ku ndodheshin sendet e çmuara.
Në vetëm 7 minuta, ata morën 9 objekte nga koleksioni i Napoleonit III dhe Perandoreshës Eugenie, përfshirë gjerdanë, brosha dhe diadema të punuara me ar dhe diamante. Për fat, diamanti legjendar “Régent”, me peshë mbi 140 karat, nuk ishte mes bizhuterive të vjedhura.
Një nga sendet, kurora e Perandoreshës Eugenie, u gjet e dëmtuar jashtë ndërtesës, dyshohet se autorët e braktisën gjatë arratisjes. Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez e cilësoi operacionin si tejet të planifikuar, ndërsa prokuroria e Parisit ka nisur hetime për “vjedhje të organizuar” dhe “formim grupi kriminal”, duke ia dorëzuar çështjen Njësisë për Shtypjen e Krimit (BRB).
Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe deklaroi se asnjë person nuk është lënduar, por muzeu do të qëndrojë i mbyllur për arsye të jashtëzakonshme. Luvri, që vitin e kaluar priti gati nëntë milionë vizitorë, është simbol i trashëgimisë kulturore franceze dhe strehon veprat më të njohura në botë, përfshirë “Mona Lisën” e Leonardo da Vinçit.
Ndërsa autoritetet po analizojnë pamjet e sigurisë dhe gjurmët e lëna në vendngjarje, grabitja e Luvrit është kthyer në një skandal kombëtar; një kombinim mes artit, luksit dhe krimit që duket i marrë nga një film, por këtë herë është bërë realitet në zemër të Parisit.