
Në një ceremoni me mbi 70 mijë pjesëmarrës, aktivisti i vrarë konservator u përshkrua si “martir” dhe u vendos përkrah Jezusit, Moisiut, Uashingtonit dhe Martin Luther King Jr.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe figura të tjera të krahut të djathtë nderuan të dielën në Arizona aktivistin konservator Charlie Kirk, i vrarë më 10 shtator gjatë një aktiviteti publik në Utah. Në memorialin e mbajtur në stadiumin State Farm morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz, ndërsa fjalimet u dominuan nga tone fetare dhe patriotike.
Trump e quajti Kirk-un martir për lirinë amerikane dhe ungjilltarin më të madh, duke kërkuar rikthimin e fesë në jetën publike të SHBA-së. Në kontrast, e veja e tij, Erika Kirk, bëri thirrje për falje ndaj autorit të sulmit dhe premtoi se do të vazhdojë misionin e bashkëshortit në krye të Turning Point USA.
Donatorja Rebecca Dunn kujtoi mbështetjen financiare që ajo dhe bashkëshorti i saj i ndjerë i dhanë Kirk, duke e konsideruar si djalë të dytë. Kongresmenja republikane Anna Paulina Luna e krahasoi me George Washington, John F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr, ndonëse vetë Kirk kishte sulmuar figurën e King gjatë jetës së tij.
Komentatori konservator Tucker Carlson e afroi me Jezusin, ndërsa influenceri i ekstremit të djathtë Jack Posobiec e krahasoi me Moisiun, duke e cilësuar si udhëheqës drejt tokës së premtuar. Këshilltari i Trump-it, Stephen Miller, deklaroi se vrasja vetëm e bëri atë të pavdekshëm dhe u zotua të shpëtojë Perëndimin.