
Vetëm pak orë para se Komiteti Norvegjez të shpallë fituesin e Çmimit Nobel për Paqe 2025, bastet ndërkombëtare janë përmbysur në mënyrë befasuese: gjasat që Donald Trump ta fitojë çmimin janë rritur ndjeshëm, duke ndezur debate në mbarë botën.
Lajmi erdhi pasi zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu publikoi në rrjetin “X” një foto të krijuar me inteligjencë artificiale, ku Trump shfaqet me duart lart, i buzëqeshur dhe me medaljen e madhe të Nobelit në qafë, teksa Netanyahut i vendos atë me duar. Krahas fotos, ishte shkruar mbishkrimi: “E meriton.”
Pamja, u bë virale dhe u interpretua si një mbështetje e hapur nga Izraeli për Trampin, vetëm disa orë para vendimit të Komitetit Nobel.
Sipas platformës “Polymarket”, një ndër faqet më të mëdha të parashikimeve online, probabiliteti që Trump të fitojë Nobel për Paqe u rrit nga 2 në 5 % brenda një nate. Sipas analistëve, kjo rritje u ndikua nga valët e mbështetjes në rrjete sociale dhe nga deklaratat e figurave politike ndërkombëtare.
Në rrjetin “X”, djali i tij Eric Trump postoi thirrjen: “Ritweet nëse mendoni se Donald Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqe.” Brenda disa orësh, mbi 34 mijë përdorues e shpërndanë postimin.
Megjithatë, favorit kryesor për çmimin mbetet rrjeti humanitar “Emergency Response Rooms”, i cili ofron ndihmë emergjente për civilët në luftën civile të Sudanit. Kandidatë të tjerë të përfolur janë Yulia Navalnaya, e veja e opozitarit rus Alexei Navalny, si dhe organizata “Mjekët pa Kufij”.
Në Britani, lideri i opozitës Sir Keir Starmer pranoi se marrëveshja e armëpushimit në Gaza nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e Presidentit Tramp, por shtoi se fokusi duhet të jetë në zbatimin e paqes, jo në çmimet personale.
Mbështetje publike për Trampin dha edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili tha se Presidenti Donald J. Tramp e meriton Nobel-in për veprimet e tij vendimtare për paqe.
Sipas burimeve të The Telegraph, Komiteti Nobel mund teorikisht ta ndryshojë vendimin deri në minutën e fundit, por praktikisht kjo është e rrallë. Megjithatë, përkrahësit e Trump e konsiderojnë këtë moment si kulmin e karrierës së tij politike, një njohje për rolin e tij në përfundimin e luftës në Gaza dhe përpjekjet për stabilitet në Lindjen e Mesme.
Ndërsa bota pret shpalljen zyrtare, një gjë është e qartë: edhe nëse nuk e fiton Çmimin Nobel, Donald Trump e ka fituar betejën e perceptimit publik, të paktën për një ditë.