
Hamas pranon pikat kryesore të planit 20-pikësh; nis raundi i negociatave për shkëmbimin e pengjeve dhe uljen e bombardimeve.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Hamas ka pranuar pjesërisht planin e tij për paqe dhe se është gati për një paqe të qëndrueshme. Përmes një deklarate në platformën Truth Social, Trump i kërkoi Izraelit të ndërpresë menjëherë bombardimet në Gaza për të mundësuar lirimin e sigurt të pengjeve.
“Izraeli duhet të ndalojë bombardimet në mënyrë që të lirojmë shpejt dhe në mënyrë të sigurt pengjet. Tani është shumë e rrezikshme”,- shkroi Trump, duke shtuar se negociatat për detajet e planit janë në zhvillim.
Ai theksoi se kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gazën, por me paqen e shumëpritur në gjithë Lindjen e Mesme.
Në një video të publikuar më pas, presidenti amerikan falënderoi Katarin, Turqinë dhe Arabinë Saudite për rolin e tyre në ndërmjetësim, duke e quajtur këtë një ditë të veçantë, ndoshta të pashembullt.
Zyrtarë të lartë në Uashington e përshkruan këtë zhvillim si hapi më i afërt drejt një armëpushimi të plotë në Gaza që nga fillimi i konfliktit. Burime diplomatike thonë se Izraeli është nën presion të rritur për të pranuar fazën e parë të planit, që përfshin ndalimin e sulmeve ajrore dhe shkëmbimin e pengjeve me të burgosurit palestinezë.
Një përpjekje që, nëse konkretizohet, do të shënonte marrëveshjen e parë të madhe paqësore nën administratën e re Trump dhe mund të ndryshojë dinamikat e gjithë rajonit.