Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të rifillojë menjëherë testimin e armëve bërthamore, për herë të parë pas 33 vitesh, raportoi agjencia Reuters.
Trump e bëri njoftimin surprizë të enjten në rrjetin e tij Truth Social, pak minuta para se të takohej me presidentin kinez Xi Jinping në Busan, Korenë e Jugut.
Presidenti Trump tha se testet do të kryheshin “në baza të barabarta” me fuqitë e tjera bërthamore, duke përmendur Rusinë si “të dytën” dhe Kinën si “shumë më pas”, por që “do të arrijë brenda pesë vitesh”.Më vonë, gjatë fluturimit për në Washington, Trump i tha gazetarëve se testet janë të nevojshme për të garantuar që SHBA-të të mbeten në nivel me rivalët e saj.“Meqë të tjerët po testojnë, mendoj se është e përshtatshme që ta bëjmë edhe ne”, deklaroi ai në bordin e Air Force One, duke shtuar se vendndodhjet e testimeve do të përcaktohen më vonë.Kur u pyet nëse ky vendim mund të rrisë rrezikun global bërthamor, Trump e minimizoi shqetësimin, duke theksuar se arsenali amerikan është “i mirë-siguruar” dhe se ai do të mirëpriste një proces de-nuklearizimi.
Sipas Center for Strategic and International Studies (CSIS), Kina e ka më shumë se dyfishuar arsenalin e saj bërthamor në pesë vitet e fundit – nga rreth 300 koka në vitin 2020 në 600 në vitin 2025 – dhe pritet të kalojë 1 mijë deri në vitin 2030.Ndërkohë, Rusia ka testuar së fundmi torpedon bërthamore “Poseidon” dhe raketën me lëndë bërthamore “Burevestnik”, duke nxitur garën e re të armatimeve.
