

Paralajmërimi vjen pasi qeveria talebane refuzoi kërkesën për dorëzimin e bazës ajrore; Uashingtoni e quan objekt strategjik, ndërsa Trump shmang të thotë nëse do përdorë trupa.
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi të shtunën pasoja për Afganistanin nëse Kabuli nuk i kthen Shteteve të Bashkuara kontrollin e bazës ajrore të Bagramit, duke shkruar në Truth Social: “Nëse Afganistani nuk e kthen Bagramin… DO TË NDODHIN GJËRA TË KËQIJA!!!”. Paralajmërimi pasoi refuzimin zyrtar të talebanëve për çdo rikthim të pranisë ushtarake amerikane në vend.
Trump e ka ngritur publikisht çështjen gjatë një vizite në Londër këtë javë, duke thënë se SHBA po përpiqet ta marrë sërish bazën, ndërsa të dielën ai refuzoi të thoshte nëse do të dërgonte trupa për ta rimarrë me forcë.
Bagrami, rreth 64 km nga Kabuli, shërbeu si nyja kryesore e operacioneve amerikane gjatë dy dekadave të luftës pas 11 shtatorit dhe kaloi nën kontrollin taleban në vitin 2021, pas tërheqjes së SHBA-së. Autoritetet talebane theksojnë se marrëdhëniet me Uashingtonin duhet të vijojnë pa asnjë prani ushtarake të huaj.
Analistë paralajmërojnë se një tentativë për ta rimarrë Bagramin do të ngjante me një ripushtim të Afganistanit, me kosto dhe rreziqe të larta operacionale.