Edhe Meksika ka hyrë në shënjestër të Donald Trump, pas kërcënimeve ndaj Kolumbisë dhe Kubës që pasuan operacionin e diskutueshëm në Venezuelë.
Në një intervistë për Fox News, Presidenti amerikan deklaroi se presidentja meksikane Claudia Sheinbaum nuk po e qeveris realisht vendin e saj, por se Meksika, sipas tij, kontrollohet nga kartelet e drogës.
“Mund të jemi politikisht korrektë dhe të themi po, që ajo po e qeveris vendin. Por ajo ka shumë frikë nga kartelet,” tha Trump.
“Ata po e qeverisin Meksikën. E kam pyetur disa herë nëse dëshiron që ne t’i eliminojmë kartelet. ‘Jo, jo, jo, zoti president, jo, jo, jo, ju lutem’, më ka thënë. Prandaj ne duhet të bëjmë diçka.”
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensioni të shtuar në rajon dhe shtojnë më tej shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të qëndrimit amerikan ndaj vendeve të Amerikës Latine.
