

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë thirrje që gratë shtatzëna të shmangin përdorimin e Paracetamol-it , duke e lidhur atë me rrezikun e autizmit, një pretendim i paprovuar shkencërisht.
Deklarata e Tramp, e dhënë gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, u pasua me reagime të ashpra nga mjekë dhe shoqata profesionale. “Mos merrni Paracetamol. Luftoni me çdo kusht për të mos e marrë,” -tha Trump, duke shtuar se në raste të caktuara, kjo mund të jetë e pashmangshme.
Sipas ekspertëve, paracetamoli është një nga të paktët ilaçe të sigurt që përdoret gjerësisht nga gratë shtatzëna, për lehtësimin e dhimbjeve dhe uljen e temperaturës. Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG) e cilësoi deklaratën e Trump-it të papërgjegjshme, ndërsa presidenti i tij, Steven J. Fleischman, theksoi: “Të dhënat nga studime të shumta tregojnë se acetaminofeni luan një rol të rëndësishëm dhe të sigurt në mirëqenien e grave shtatzëna.”
Shumica e studimeve serioze nuk kanë gjetur asnjë lidhje shkakësore midis përdorimit të paracetamolit dhe zhvillimit të autizmit, apo çrregullimeve të tjera neurologjike tek fëmijët. Madje, një nga studimet më të mëdha popullore, i publikuar nga kërkues suedezë në JAMA, nuk gjeti diferenca midis fëmijëve të ekspozuar dhe atyre jo të ekspozuar ndaj ilaçit.
Megjithatë, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka paralajmëruar për një korrelacion të mundshëm mes përdorimit të shpeshtë të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut të çrregullimeve si autizmi apo ADHD, por ka pranuar se asnjë provë shkakësore nuk është vendosur ende.
Ekspertët mjekësorë theksojnë se temperaturat e larta dhe dhimbjet e forta gjatë shtatzënisë përbëjnë vetë një rrezik serioz për shëndetin e nënës dhe të fetusit, ndaj përdorimi i paracetamolit, i kontrolluar nga mjeku, mbetet i nevojshëm.