

Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar mundësinë që Izraeli të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar, një qëndrim që e vë atë në kundërshtim me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij ultranacionalistë.
Duke folur para gazetarëve, të enjten, pak orë para se Netanyahu të mbajë fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Trump u shpreh prerë: “Nuk do ta lejoj Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor. Jo. Nuk do ta lejoj. Nuk do të ndodhë.” Ai nuk dha detaje për masat që mund të marrë për ta penguar një veprim të tillë, por nguli këmbë se qëndrimi i tij është i qartë.
Deklarata përbën një përplasje të rrallë mes Uashingtonit dhe Tel Avivit. Qeveria e Netanyahut, e mbështetur nga ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe figura të tjera të ekstremit të djathtë, e ka bërë aneksimin e territoreve palestineze një objektiv politik kryesor. Në korrik, Knesseti votoi me shumicë dërrmuese një mocion jo detyrues në favor të aneksimit.
Ekspertët e kanë quajtur deklaratën e Trump zhvillim pozitiv, por janë skeptikë për zbatimin e saj. Mouin Rabbani, analist pranë Qendrës për Studime të Konfliktit dhe Humanitare në Katar, tha: “T’i japësh vlerë fjalëve të Trump, është një rrezik në vetvete.”
Çështja e aneksimit mbetet një nga pikat më të nxehta të konfliktit. Nën qeverinë e Netanyahut, zgjerimi i vendbanimeve ka marrë ritme të përshpejtuara, me plane për ndërtimin e mijëra banesave në territore të kontestuara. Në vitin 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se këto vendbanime janë të paligjshme dhe duhet të çmontohen, duke rikthyer tokën te palestinezët. Vetë Smotrich, i cili jeton në një vendbanim të paligjshëm, ka premtuar se do të kundërshtojë çdo përpjekje për njohjen e shtetit palestinez, duke theksuar se ndërtimet e reja e varrosin përfundimisht idenë e një shteti palestinez.
Deklaratat e Trump vijnë gjithashtu në një kohë kur po fiton terren momentum ndërkombëtar për njohjen e shtetësisë palestineze. Australia, Franca, Britania, Kanadaja dhe Portugalia kanë ndërmarrë hapa në këtë drejtim, ndërsa Trump ka zhvilluar takime me liderët e Arabisë Saudite, Katarit, Egjiptit, Jordanisë dhe Turqisë për një armëpushim të mundshëm në Gaza.
Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i rëndësishëm i Izraelit, duke i ofruar mbështetje financiare, ushtarake dhe të inteligjencës. Megjithatë, çdo ndryshim i qëndrueshëm në politikën amerikane mund të shkaktojë krizë të thellë politike në koalicionin e Netanyahut dhe të komplikojë operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban.