

Tramp akuzon miliarderin filantrop për mbështetje të protestave të dhunshme, ndërsa OSF (Open Society Foundations) e cilëson sulmin si propagandë të pavërtetë.”
Presidenti amerikan Donald Tramp ka ndezur një tjetër përplasje politike, duke kërkuar që miliarderi George Soros dhe i biri të ndiqen penalisht. Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Tramp akuzoi Soros se ka financuar protesta të dhunshme në SHBA dhe se duhet të hetohet në bazë të ligjit RICO, i cili përdoret për organizatat kriminale.
“Soros dhe grupi i tij i psikopatëve i kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme vendit tonë!”, -shkroi Trump, pa dhënë prova konkrete për akuzat.
Organizata Open Society Foundations (OSF) e themeluar nga Soros, reagoi menjëherë duke i quajtur deklaratat e Tramp skandaloze dhe të pavërteta. Soros, 95 vjeç, është prej vitesh një figurë e urryer nga të djathtët radikalë dhe shpesh objekt i teorive konspirative, me nuanca antisemitike.
Tramp i bëri akuzat në një kohë kur Soros dhe i biri, Alexander, janë angazhuar më shumë në financimin e fushatave për të drejtat e minoriteteve dhe pjesëmarrjen e votuesve latino e afro-amerikanë. Kjo përfshirje e shtuar ka rritur tensionet me republikanët, të cilët e shohin si një figurë me ndikim të madh në politikën progresiste amerikane.
Vetë Soros ka qenë shpesh i akuzuar nga kundërshtarët se financon lëvizje për të destabilizuar qeveri ose për të nxitur kriza.