
Faza e parë e planit 20-pikësh parashikon lirimin e pengjeve, tërheqjen izraelite dhe krijimin e një strukture ndërkombëtare për paqen në Gaza
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, njoftoi zyrtarisht se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të tij të paqes për Gazën, duke përfshirë armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve izraelitë me të burgosur palestinezë. Ky është zhvillimi më i rëndësishëm diplomatik që nga fillimi i luftës në tetor 2023, e cila ka lënë pas më shumë se 67 mijë të vrarë dhe 170 mijë të plagosur në Rripin e Gazës.
Në një postim në platformën “Truth Social” në orën 23:17 GMT, Tramp deklaroi: “Të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat në një vijë të rënë dakord. Ky është hapi i parë drejt një paqeje të fortë dhe të qëndrueshme.” Ai falënderoi Katarin, Egjiptin dhe Turqinë për rolin e tyre ndërmjetësues. Sipas Shtëpisë së Bardhë, njoftimi erdhi menjëherë pasi sekretari i shtetit Marco Rubio i dorëzoi Trampit një shënim që konfirmonte finalizimin e marrëveshjes. “Më duhet të shkoj tani për të zgjidhur disa probleme në Lindjen e Mesme,” -tha presidenti amerikan duke lënë sallën e takimit.
Në fazën e parë, të dyja palët nënshkruajnë armëpushimin dhe lirimin e 48 pengjeve izraelitë, përfshirë 20 që besohet se janë ende gjallë. Paralelisht, Izraeli do të lirojë një grup të burgosurish palestinezë dhe do të tërheqë trupat nga disa zona të Gazës. Sipas burimeve të Hamasit, lirimi i pengjeve do të nisë brenda 72 orëve nga miratimi i marrëveshjes nga kabineti izraelit. Trump e ka përshkruar këtë si fitoren e parë të madhe të diplomacisë amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa ka paralajmëruar se do të udhëtojë drejt Egjiptit dhe më pas Izraelit për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyah e quajti marrëveshjen një ditë të madhe për Izraelin dhe falënderoi personalisht Trampin për përkushtimin në këtë mision të shenjtë për lirimin e pengjeve. Nga ana tjetër, Hamasi publikoi një deklaratë ku thuhet se marrëveshja parashikon përfundimin e luftës në Gaza, tërheqjen e pushtimit dhe hyrjen e ndihmave humanitare. Grupi palestinez falënderoi ndërmjetësit dhe u bëri thirrje palëve të mos lejojnë shtetin pushtues të shmangë detyrimet e tij.
Sipas analistëve, disa çështje thelbësore mbeten të pazgjidhura: koha dhe shkalla e tërheqjes izraelite, administrata pasluftës e Gazës dhe fati politik i Hamasit. Sipas planit të Trampit, pas dorëzimit të pengjeve, lufta duhet të përfundojë. Por Izraeli kërkon që armët e Hamasit të dorëzohen plotësisht para se të shpallet paqja.
Netanyahu pritet ta paraqesë marrëveshjen në mbledhjen e kabinetit të enjten, ku miratimi duket i sigurt. Brenda 72 orësh nga votimi, forcat izraelite do të tërhiqen dhe Hamasi do të fillojë lirimin e pengjeve. Tramp, ndërkohë, planifikon të udhëtojë në Egjipt për një takim me ndërmjetësit dhe më pas në Jeruzalem, ku është i ftuar të mbajë një fjalim në parlamentin izraelit.
Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një organi ndërkombëtar të quajtur “Bordi i Paqes”, që do të mbikëqyrë administrimin e Gazës pas luftës. Tramp do ta kryesojë personalisht këtë bord, ku do të marrin pjesë edhe liderë botërorë si ish-kryeministri britanik Tony Blair.