
Në samitin e McDonald’s në Washington, presidenti shkaktoi të qeshura te pronarët dhe operatorët e rrjetit duke dhënë “këshilla” për menunë, ndërsa rikujtoi edhe porositë e tij të preferuara.
Presidenti amerikan Donald Tramp u prit me të qeshura dhe duartrokitje gjatë fjalës së tij në McDonald’s Summit të mbajtur të hënën në Washington D.C., kur vendosi t’u jepte pronarëve dhe furnitorëve të rrjetit një këshillë të papritur për një nga produktet më ikonike të fast-foodit: Filet-O-Fish.
“Pavarësisht kush je, secili ka diçka që e do te McDonald’s,” tha Tramp me humor. “Unë e dua peshkun. E dua shumë. Por mund të hidhni pak më shumë tartar sauce… ju lutem. Seriozisht.”
Kjo deklaratë shkaktoi të qeshura në sallë, duke vazhduar traditën e gjatë të Tramp për t’u shprehur hapur për ushqimet e tij të preferuara. Dashuria e tij për McDonald’s është e dokumentuar prej vitesh. Në librin autobiografik të Jared Kushner, “Breaking History” (2022), ai tregon se Tramp shpesh porosiste një Big Mac, një Filet-O-Fish, patatina dhe një vanilla shake.
Edhe libri “Let Trump Be Trump” (2017), i shkruar nga ish-zyrtarët e fushatës së tij Corey Lewandowski dhe David Bossie, përmend një porosi tjetër të famshme të tij: dy Big Macs, dy Filet-O-Fish dhe një chocolate malt shake.
Ngjarja e mbrëmshme u cilësua si një moment i lehtë në një sallë të mbushur me operatorë, investitorë dhe furnitorë të zinxhirit ndërkombëtar, ndërsa Tramp shfrytëzoi skenën për të bërë humor dhe për të forcuar lidhjen e tij të kahershme me markën McDonald’s.
