

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli tarifa të reja doganore që prekin barnat, kamionët e rëndë dhe mobiliet e importuara, duke shkaktuar shqetësime të mëdha në industrinë farmaceutike ndërkombëtare.
Duke nisur nga 1 tetori i vitit 2025, çdo ilaç i patentuar i importuar në SHBA do të tatohet me 100%, përveç rasteve kur kompanitë ndërtojnë fabrika brenda vendit. Barnat gjenerike përjashtohen, ndërsa gjigantë si Novartis dhe Roche kanë paralajmëruar investime miliardëshe në SHBA, për të shmangur tarifat.
Masat godasin drejtpërdrejt industrinë zvicerane të farmacisë, e cila deri tani kishte shpëtuar nga tarifat e mëparshme. Vendimi solli rënie të bursave aziatike, ndërsa Australia reagoi duke paralajmëruar kosto më të larta për konsumatorët amerikanë.
Trump shpalli gjithashtu një tarifë 25% për kamionët e rëndë të prodhuar jashtë SHBA dhe taksa mbi mobiliet e importuara: 50% për mobiliet e kuzhinës dhe banjës dhe 30% për ato të tapetuara, me arsyetimin se masat mbrojnë industrinë vendase dhe sigurinë kombëtare.