
Bota mban frymën sot ndërsa Komiteti Norvegjez i Nobelit përgatitet të shpallë fituesin e Çmimit më prestigjioz të paqes, në një vit ku politika globale, luftërat dhe diplomacia janë ndërthurur si kurrë më parë.
Në garë janë emra që kanë ndarë opinionin publik: Donald Trump, që ëndërron të kurorëzohet si njeriu që ndali luftën në Gaza; Volodymyr Zelensky, simboli i rezistencës ukrainase; Yulia Navalnaya, e veja e opozitarit rus Alexei Navalny dhe Greta Thunberg, aktivistja suedeze që së fundmi u arrestua gjatë protestave në flotiljen e Gazës.
Ceremonia zhvillohet sot në orën 11:00 në Oslo, dhe sipas bastvënësve ndërkombëtarë, është hera e parë që një president amerikan shihet si favorit serioz për të fituar, pas mbështetjes publike që i kanë dhënë liderë si Benjamin Netanyahu, përfaqësues nga Pakistani dhe disa vende afrikane.
Presidenti amerikan, i cili prej javësh e ka kthyer kandidimin e tij në një kauzë personale, ka deklaruar se e meriton këtë çmim më shumë se kushdo, duke pretenduar se ka ndalur tetë luftëra dhe ka hapur rrugën për marrëveshjen e paqes Izrael–Hamas.
Në një zhvillim simbolik, familjet e pengjeve izraelite i kanë dërguar një letër Komitetit të Nobelit, ku e falënderojnë Trumpin për sjelljen e dritës në ditët më të errëta. Por kritikët paralajmërojnë se ky çmim, nëse i jepet atij, mund të interpretohet si legjitimim politik dhe jo si shpërblim moral.
Ndërkohë, Greta Thunberg, vetëm pak ditë pasi u lirua nga arresti në Izrael, shihet si një simbol i aktivizmit global, ndërsa Yulia Navalnaya përfaqëson luftën e heshtur kundër autoritarizmit rus. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbetet në listë si kandidati që mishëron rezistencën, por jo domosdoshmërisht “paqen”, një dilemë që ndan edhe vetë anëtarët e jurisë.
Në listë figurojnë gjithashtu organizata si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, OSBE dhe Dhomat e Reagimit të Emergjencave në Sudan, që kanë ndihmuar miliona civilë në konfliktet e Afrikës.
Vitin e kaluar, çmimi iu dha organizatës japoneze Nihon Hidankyo, që përfaqëson të mbijetuarit e bombardimeve atomike. Këtë vit, Komiteti pritet të ndjekë një qasje më të kujdesshme, ndoshta duke zgjedhur një figurë më pak përçarëse.
Jurgen Watne Frydnes, kreu i komitetit pesëanëtarësh, ka deklaruar shkurtimisht: “Do të shpërblejmë ata që kanë bërë diçka të prekshme për paqen. Jo fjalë, por vepra.”
Por në zyrën e Tramp, në Florida, pritja ka filluar tashmë. Një bashkëpunëtor i tij shprehet: “Nëse e fiton, do të jetë dita kur historia do të kthehet me faqe të re.”