
Tërheqja e papritur vjen në kulmin e tensioneve mes SHBA-së dhe Evropës për Groenlandën dhe paralajmërimeve për sanksione ekonomike
Një zhvillim i pazakontë është shënuar në Groenlandë, ku trupa gjermane janë tërhequr nga territori danez vetëm 44 orë pas mbërritjes, në një moment kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve europiane janë rritur ndjeshëm për shkak të kërcënimeve të reja tregtare nga Donald Tamp.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, një grup prej të paktën 15 ushtarësh të Bundeswehr u panë në aeroportin e Nuuk duke pritur kthimin në Gjermani. Trupat kishin mbërritur në Groenlandë vetëm dy ditë më parë, si pjesë e një misioni vëzhgues të vendeve të NATO, me ftesë të Danimarka.
Arsyeja zyrtare e tërheqjes nuk është konfirmuar ende. Disa burime flasin për kushte të pafavorshme atmosferike, por lëvizja vjen menjëherë pas paralajmërimit të Tramp për vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj disa vendeve europiane, përfshirë Gjermaninë. Presidenti amerikan ka deklaruar se nga 1 shkurti do të vendoset një tarifë 10% për mallrat që importohen në SHBA nga këto vende, ndërsa ka paralajmëruar rritjen e saj në 25 % nga 1 qershori, nëse Groenlanda nuk shitet nga Danimarka.
Tramp ka këmbëngulur se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së, një pretendim që është kundërshtuar nga Danimarka dhe aleatët e saj, ndërsa shumica dërrmuese e banorëve të Groenlandës kanë shprehur hapur kundërshtimin ndaj çdo ideje për bashkim me SHBA-në.
Pavarësisht tërheqjes së trupave gjermane, Gjermania ishte ndër vendet që nënshkruan një deklaratë të përbashkët me Danimarkën, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe disa shtete të tjera nordike, duke kundërshtuar kërcënimet me tarifa dhe duke theksuar se presioni ekonomik minon marrëdhëniet transatlantike dhe rrezikon përshkallëzim të rrezikshëm.
Situata në Groenlandë mbetet e tensionuar, ndërsa aktiviteti ushtarak i vendeve europiane në Arktik është rritur dhe protesta kundër qëndrimeve të Tramp janë zhvilluar edhe në vetë Nuuk. Hetimet dhe sqarimet zyrtare mbi tërheqjen e trupave gjermane priten në ditët në vijim.
