
29-vjeçarja u gjet e pajetë në një kanal në Manchester
Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Altrincham në Manchester, ku trupi i një gruaje të re është nxjerrë nga një kanal, pasi ajo ishte raportuar e zhdukur nga familja. Alarmet u ngritën kur gruaja nuk u paraqit për të marrë dy vajzat e saj të vogla nga dadoja, një veprim i pazakontë për të.
Viktima është identifikuar si Jana Bahvalova, 29 vjeçe, nënë e dy fëmijëve. Trupi i saj u gjet në kanalin Bridgewater, në mëngjesin e 10 dhjetorit, pranë zonës Broadheath. Shërbimet emergjente dhe policia u thirrën rreth orës 8:30, ndërsa një pjesë e shtegut përgjatë kanalit u mbyll përkohësisht për shkak të hetimeve.
Familjarët kishin humbur kontaktet me Janën dy ditë më parë, më 8 dhjetor, kur ajo nuk shkoi të merrte vajzat e saj Adelina dhe Kate nga dadoja. Sipas të afërmve, ky ishte sinjali i parë se diçka serioze kishte ndodhur.
Motra e saj ka treguar se Jana ishte një nënë e përkushtuar, e qetë dhe shumë e lidhur me fëmijët. Ajo kishte shtetësi letoneze dhe punonte si pastruese hoteli. Pas ndarjes nga bashkëshorti, kishte vendosur të shpërngulej në zonën Birchwood të Warringtonit, ku po përpiqej të ndërtonte një jetë të re për veten dhe vajzat.
Familjarët thonë se ajo i rritej fëmijët e saj e vetme dhe se ishte një grua punëtore, modeste dhe e heshtur. Një nga pasionet e saj ishte biçikleta, të cilën e shihte si mënyrë për të gjetur qetësi dhe për t’u larguar nga stresi i përditshëm.
Pas ngjarjes, familja ka nisur një fushatë për mbledhje fondesh me qëllim mbështetjen e vajzave të saj dhe përballimin e shpenzimeve të funeralit. Sipas të afërmve, humbja e saj ka lënë një boshllëk të madh jo vetëm te fëmijët, por edhe te miqtë dhe të gjithë ata që e njihnin.
Policia e Greater Manchester ka konfirmuar se trupi i një gruaje është nxjerrë nga uji dhe se hetimet për rrethanat e vdekjes vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi shkaqet e ngjarjes.
