
Erërat shkatërruese, përmbytjet dhe shembjet e ndërtesave paralizojnë jugun e vendit, autoritetet në alarm portokalli
Portugalia është përfshirë nga një situatë dramatike, pasi stuhia tropikale “Claudia” ka goditur vendin me forcë shkatërrimtare, duke shkaktuar tre viktima dhe dhjetëra të plagosur në disa zona të vendit.
Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa reagoi menjëherë pas konfirmimit të bilancit tragjik, duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe duke thënë se vendi po përballet me një nga stuhitë më të rënda të viteve të fundit.
Në Albufeira, një ndër zonat më të prekura, shembja e pjesshme e çatisë së një restoranti buzë detit ka lënë të plagosur rreth 20 persona. Mbrojtja Civile konfirmoi se erërat e dhunshme dhe reshjet tropikale kanë krijuar skena kaotike, me automjete të përmbysura, pemë të rrëzuara dhe ndërtesa të dëmtuara rëndë.
Autoritetet portugeze kanë vendosur alarm portokalli në jugun e vendit, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë pa ndërprerje për të përballuar situatën.
Ndërkohë, pranë Lisbonës, një çift të moshuarish është gjetur i pajetë në banesën e tyre, pasi përmbytjet e natës së kaluar kanë depërtuar brenda shtëpisë duke shkaktuar tragjedinë.
Sipas Mbrojtjes Civile, nga e mërkura janë regjistruar mbi 3,300 incidente, shumica përmbytje, rrëzime pemësh dhe dëmtime në infrastrukturë, ndërkohë që moti ekstrem pritet të vijojë edhe në orët në vijim.
