
Veshja sportive e presidentit venezuelian kthehet në trend global dhe boshatis stoqet online
Një detaj i papritur ka marrë vëmendjen globale pas arrestimit të presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro. Fotografia e tij me një kostum sportiv gri u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe solli një reagim zinxhir që askush nuk e kishte parashikuar.
Bëhet fjalë për një tuta sportive të markës Nike, e cila pas publikimit të imazhit u kërkua masivisht nga përdorues në mbarë botën. Brenda pak orësh, modeli u shit plotësisht në disa tregje online, pa asnjë fushatë promovuese apo reklamë nga kompania.
Sipas mediave ndërkombëtare, kërkimet për këtë veshje u rritën ndjeshëm menjëherë pas daljes së fotos së arrestimit, ku Maduro shfaqej i shoqëruar nga autoritetet amerikane pas operacionit të urdhëruar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Ndërsa ngjarja politike tronditi arenën ndërkombëtare, rrjeti reagoi në mënyrën e vet, duke e kthyer një element veshjeje në objekt dëshire.
Në disa vende, çmimi i kostumit sportiv varion nga rreth 60 deri në 90 euro, duke e bërë atë relativisht të përballueshëm krahasuar me veshjet luksoze të figurave publike. Edhe pse modeli në ngjyrë gri është zhdukur nga raftet, variante të tjera ngjyrash vijojnë të jenë të disponueshme.
Fenomeni konfirmon edhe një herë fuqinë e paparashikueshme të rrjeteve sociale, ku edhe në mes të krizave politike dhe zhvillimeve dramatike, vëmendja publike mund të zhvendoset drejt detajeve më të papritura, duke i kthyer ato në trende globale brenda pak orësh.
