Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin maksimal, burgim të përjetshëm, për Altin Hajrin, i akuzuar si një nga personat kyç në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Hajri, i cili vijon të jetë në arrati, po gjykohet në mungesë nga Gjykata e Posaçme.
Gjatë seancës së fundit, procesi gjyqësor u shty pasi avokati mbrojtës kërkoi kohë shtesë për të paraqitur konkluzionet përfundimtare, duke e lënë çështjen në pritje të vendimit final
Më herët për këtë ngjarje është dënuar me vendim të formës së prerë kopshtari i kompleksit “Golden”, Festim Bexhdili, me burgim të përjetshëm. Pavarësisht se Gjykata e Lartë pranoi rekursin e Bexhdilit dhe e riktheu çështjen për rishqyrtim në Apel, shkalla e dytë e gjyqësorit la në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm.
Ndërsa Olsi Turja u dënua me 3 vite burg për veprën penale “moskallëzim krimi”.
Për të njëjtën ngjarje vijon gjykimi në një proces të ndarë për shtetasit Dritan Rexhepi, Korado Gështenja, Martin Bleta, Gentian Funiqi, Geraldo Martini, Aldo Majnishta dhe Artan Doccaj.
