
Nga përplasja fatale e Linzës në vitin 2015, ku u vra Enton Nikaj, deri te arrestimi i sotëm për armëmbajtje pa leje, historia e një emri të njohur për drejtësinë.
Policia e Tiranës arrestoi sot 39-vjeçarin Ismet Gaxherri, i cili u kap në bulevardin “Bajram Curri” duke qarkulluar me një armë zjarri të tipit pistoletë dhe municion pa leje. Por ky nuk është rasti i parë që emri i tij përmendet në dosje kriminale.
Hetimet zbulojnë se Gaxherri ka qenë i përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur në Linzë në vitin 2015, ku humbi jetën Enton Nikaj. Ai ishte pronar i lokalit ku shpërtheu konflikti dhe u plagos gjatë përplasjes, ndërsa Nikaj u ekzekutua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar plotësisht.
Asokohe u përfol për një borxh prej 200 mijë eurosh që Gaxherri i detyrohej Ervis Martinajt, i njohur si “mbreti i lojërave të fatit”, tashmë i zhdukur pa gjurmë. Megjithatë, vetë Gaxherri e kishte mohuar këtë version, duke pretenduar se kishte ndërhyrë për të ndaluar sherrin dhe ishte goditur me pjesën e pasme të pistoletës.
Sipas njoftimit të policisë, arma e sekuestruar në automjetin e tij do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ndonjë ngjarje të mëparshme kriminale. 39-vjeçari akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.