
Policia Rrugore e Durrësit raporton rritje të rasteve të korrupsionit nga drejtues mjetesh që kërkojnë t’i shpëtojnë gjobave
Një 65-vjeçar nga Tirana është proceduar penalisht pasi u përpoq të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore në Durrës me qëllim shmangien e një gjobe. Ai u ndalua gjatë patrullimeve në rrugën “Martin Camaj”, teksa drejtonte automjetin duke përdorur celularin.
Gjatë kontrollit, drejtuesi i mjetit iu ofroi efektivëve 2000 lekë të reja me qëllim që të mos i vendosej masa administrative për shkeljen e kodit rrugor. Policia refuzoi menjëherë ofertën dhe dokumentoi ngjarjen sipas procedurave.
Pas veprimeve hetimore, 65-vjeçari u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa materialet u referuan në Prokurorinë e Durrësit për hetime të mëtejshme.
Sipas Policisë Rrugore të Durrësit, me këtë rast shkon në 34 numri i drejtuesve të mjeteve që janë arrestuar apo proceduar vetëm gjatë këtij viti për tentativa korrupsioni ndaj efektivëve gjatë kontrolleve në terren.
