Ëngjëll Cani, babai i Martin Canit ka folur pas vendimit të marrë ditën e djeshme nga Gjykata e Tiranës, ku u dënua me 16 vite burg autori i vrasjes së 14-vjeçarit. I ftuar në emisioninë “Now” në Euronews, Babai i Martini rrëfeu se vendimi i djeshëm është pritur si një rreze drite, megjithëse asnjë dënim nuk mund ta ngushëllojë apo lehtësojë boshllëkun e krijuar nga humbja e Martinit.
Ai tregoi vështirësitë e gjithë kësaj kohe pa Martinin, por gjithashtu edhe një ndjesi zhgënjimi ndaj mungesës së reagimit institucional, një reagim më shumë ku emri i Martinit të mbetet e gdhendur. Babai i 14-vjeçarit përcolli një mesazh për prindërit e gjithë shoqërisë që të jenë më pranë fëmijëve dhe t’i mësojnë të shmangin sherret, dhunën.
“Duke u konsultuar me avokatin, ne e konsideruam si një rreze drite sepse autori kishte dy tentativa vrasje. Për ne është një dhimbje madhe sado që të dënohet ai. Martini nuk kthehet më por drejtësia duhet të mbetet drejtësi dhe duhet të jetë në vend. Është një vendim pothuajse i drejtë, mbetet i përgjysmuar sepse në termat juridik besoj se u dha një lloj drejtësie, por mua nuk më ngushëllon asgjë sepse dhimbja është kaq e madhe, e pashërueshme. Pysim veten si jetohet pa Martinin.
Kemi pasur shumë vështirësi, Martinin e bëmë 14 vjeç, do bënte 15 tani dhe të rrisësh një fëmijë 14-vjeçar, ta çosh në shkollë dhe të mos kthehet… Martini nuk kishte sherr me njeri dhe ishte gjithmonë i qeshur, një djalë lider kudo. Ishte ai që binte në sy për çdo gjë. Është e trishtë kur kujtojmë që jemi pa Martinin, duket si mjegull para syve. Shikojmë rrugën nëse do vijë Martini nga stërvitja, nga shkolla. Vetëm një prind me një dhimbje të tillë mund të na kuptojë.
“Për prindërit e tjerë kam këtë mesazh që ti duan më shumë fëmijët, të konsultohen me ta, ti mësojnë mos të mbajnë thika me vete. Ti ushqejnë më gjëra të mira, të mos kenë tendencën e sherreve. Megjithëse nuk ka vetëm prindi rol këtu, është dhe shoqëria, shumë gjëra që mungojnë. Prindërit e kanë kërkuar të vendoset një stol, ose një emër palestre në shkollë dhe nuk e kanë bërë. Ne nuk kemi parë diçka të tillë nga institucionet, nuk kanë treguar ndonjë reagim edhe tani mbas një viti”, tha Ëngjëll Cani, babai i Martin Canit./
