Një grua 48-vjeçare tregon momentet e tmerrit gjatë sulmit me thikë në trenin Huntingdon–Londër, ku disa pasagjerë mbetën të plagosur rëndë.
Një dëshmi tronditëse ka dalë nga ngjarja e përgjakshme në trenin LNER Azuma, që udhëtonte nga Huntingdon drejt Londrës. Dayna Arnold, 48 vjeç, rrëfen se u gjend përballë me sulmuesin që mbante në dorë një thikë kuzhine rreth 15 cm të gjatë dhe që i tha: “Djalli nuk do të fitojë.”
Dayna dhe partneri i saj, Andy Gray, 37 vjeç, ishin ulur në vagonin J kur shpërtheu paniku. Brenda pak minutash, një burrë nisi të godiste pasagjerët me thikë, duke plagosur disa persona, prej të cilëve dy mbeten në gjendje kritike për jetën.
“Pashë njerëzit që vraponin dhe bërtisnin. Kur u ktheva, ai po vinte drejt meje. U rrëzova dhe thashë vetëm: ‘Të lutem, mos më vrit’. Ai më pa, ndaloi për një çast dhe tha: ‘Djalli nuk do të fitojë’”, tregoi Dayna, e cila shpëtoi për mrekulli.
Partneri i saj, Andy, ndërkohë ndihmoi një djalë të ri rreth 20 vjeç që kishte marrë plagë të rënda në krah dhe në sqetull. “Ai po humbte shumë gjak. Djali më lutej të thërrisja babain e tij, sepse nuk donte të vdiste,” kujtoi ai.
Ngjarja ndodhi pak minuta pas nisjes nga stacioni i Peterborough. Policia britanike e transportit arrestoi dy persona, ndërsa konfirmoi se rasti nuk ka lidhje me terrorizmin.
Të dy dëshmitarët janë ende në shok, por shprehen mirënjohës që shpëtuan gjallë. “Nëse do të ishim ulur në anën tjetër të vagonit, ndoshta sot nuk do të ishim këtu,” tha Dayna me zë të dridhur.
Hetimet vazhdojnë për të zbardhur motivet e këtij sulmi të paprecedent në një tren britanik.
