
I riu mashtroi rojën e një parkimi privat në rrugën Hajdar Hidri dhe u largua me makinën, automjeti u gjet në Valias
Një 18-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranë, pasi akuzohet se vodhi një automjet duke u shtirur si pronari i tij në një parkim privat.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu me iniciale A. L. është paraqitur te vendparkimi në rrugën Hajdar Hidri, ku ka mashtruar rojën duke u prezantuar si pronari i mjetit. Pasi ka marrë çelësat, ai është larguar me automjetin tip Volkswagen Jetta.
Menjëherë pas denoncimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë nisur hetimet, të cilat çuan në identifikimin dhe kapjen e shpejtë të autorit të dyshuar. Automjeti i vjedhur u gjet dhe u sekuestrua në fshatin Valias.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 18-vjeçari e kishte planifikuar vjedhjen, duke shfrytëzuar mashtrimin si mënyrë për të marrë në dorëzim mjetin pa hasur rezistencë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
