
Shtatë persona të maskuar hynë në një berberhane duke u prezantuar si efektivë, por u përballën me të shtëna me armë; një person mbeti i plagosur dhe disa janë në kërkim
Ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës është zbardhur nga policia, duke hedhur dritë mbi dinamikën e vërtetë të përplasjes me armë zjarri që fillimisht u raportua si atentat.
Sipas hetimeve, shtatë persona të maskuar dhe të kamufluar janë futur në një berberhane duke thirrur: “Mos lëvizni, policia”. Pesë prej tyre ishin të armatosur me armë automatike, ndërsa dy të tjerë mbanin shkopinj bejsbolli. Qëllimi i tyre dyshohet të ketë qenë dhunimi i 21-vjeçarit Merando Nikulaj, nip i Ardian Nikulaj, me të cilin kishin pasur një konflikt të mëparshëm.
Në momentin që autorët kanë hyrë në ambientin ku Nikulaj po qethej, situata ka dalë jashtë kontrollit dhe janë shkëmbyer të shtëna me armë zjarri. Nga përplasja ka mbetur i plagosur berberi Sokol Daci, i cili u qëllua gjatë breshërisë së armëve.
Nga të dhënat paraprake, përveç efektivit të policisë Besart Kovaçi, i arrestuar për shpërdorim detyre, dyshohet se edhe vetë 21-vjeçari Nikulaj ka qëlluar me armë. Njëri prej personave të armatosur i është përgjigjur zjarrit me armë automatike, duke shkaktuar plagosjen e të pafajshmit në ambient.
Deri në këtë fazë të hetimeve, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim katër persona: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka, Kevin Ndoka dhe Merando Nikulaj. Ky i fundit dyshohet se është plagosur në këmbë, por nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit.
Policia vijon kontrollet intensive në disa zona ku dyshohet se autorët mund të jenë fshehur, ndërsa hetimet kanë zbuluar se konflikti ka rrënjë në një përplasje të ndodhur në mars 2025 në zonën e Kunes, në Shëngjin.
