Një komunitet i tronditur në Northampton ka nderuar me homazhe 30-vjeçarin shqiptar Sajmir B., i cili humbi jetën pas një aksidenti tragjik më 31 tetor, kur u shtyp brenda një kamioni mbeturinash. I riu ishte strehuar përkohësisht në një kazan, pasi atë natë nuk kishte gjetur një vend ku të qëndronte. Pas dëmtimeve të rënda, ai u dërgua në Spitalin Universitar Coventry, ku ndërroi jetë më 6 nëntor.
Koronerja Anne Pember konfirmoi se shkaku i vdekjes ishte dështimi i shumëfishtë i organeve si pasojë e shtypjes. Hetimi i plotë pritet të zhvillohet më 29 prill. Ndërkohë, trupi i Sajmirit është kthyer në Shqipëri dhe ceremonia e varrimit është kryer pranë familjarëve.
Credins Bank Apple Pay
Të njohur të tij e përshkruanin të riun si një njeri punëtor dhe të sjellshëm, duke theksuar se nuk ishte person që flinte zakonisht në rrugë, por atë natë kishte mbetur pa strehë. Ata apeluan për më shumë kujdes nga kompanitë e mbeturinave, duke kërkuar që kazanet të kontrollohen para ngarkimit për të shmangur tragjedi të tjera.
Kompania Veolia, që operonte kamionin, shprehu keqardhje të thellë për ngjarjen dhe theksoi se shoferi ka vepruar sipas protokolleve. Ndërsa policia deklaroi se nuk ka prova që sugjerojnë rrethana të dyshimta, kompania nënvizoi se raste të tilla shtohen gjatë dimrit dhe se është e nevojshme rritja e ndërgjegjësimit për personat që kërkojnë strehë në kazane mbeturinash
