Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku qëndroi për më shumë se një orë.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Basha u ndal shkurtimisht përpara gazetarëve, duke theksuar se për momentin nuk mund të japë detaje për shkak të hetimeve që po zhvillohen.
“Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje që është në hetim. Informacionin se për cilën çështje jam thirrur, ju lus ta merrnin te institucioni sepse ligjërisht duhet të respektoj sekretin hetimor. Kaq kam për këtë çështje, ndoshta iu ka marr malli për konferencë për shtyp, por duhet të prisni edhe pak. Konferencën për shtyp një herë tjetër”, është shprehur Basha shkurtimisht për mediat.
Sipas gazetares Klodiana Lala, ish-kreu i Partisë Demokratike është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimet që lidhen me ngjarjen e 21 janarit 2011, kohë kur Basha mbante detyrën e ministrit të Brendshëm dhe Sali Berisha ishte kryeministër.Kujtojmë se më 21 janar 2011, gjatë një proteste të opozitës së atëhershme përpara Kryeministrisë, u vranë katër protestues, Faik Myrtaj, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Ziver Veizi.
