
Një studim tronditës zbulon se personat që pijnë ujë të ambalazhuar, konsumojnë deri në 90 mijë grimca plastike më shumë çdo vit. Një helm i padukshëm që hyn në trup dhe dëmton shëndetin.
Një studim i ri shkencor ka nxjerrë në pah se uji i ambalazhuar në shishe përmban sasi të rrezikshme mikroplastikash, që mund të kalojnë mbrojtjet natyrore të trupit dhe të depozitohen në organet jetësore, duke rritur ndjeshëm rrezikun e kancerit.
Kërkimi, i udhëhequr nga Sara Sajedi, eksperte e menaxhimit mjedisor në Universitetin Concordia (Kanada), zbuloi se njerëzit që pijnë ujë në shishe, konsumojnë rreth 90 mijë grimca mikroplastike në vit.
Sipas studimit, këto fragmente mikroskopike, disa më të vogla se dy mikrometra, pra dy mijëtat e një milimetri, kanë aftësinë të depërtojnë në qeliza, duke shkaktuar inflamacion kronik, stres oksidativ, çrregullime hormonale, probleme të fertilitetit, dëmtime neurologjike dhe kancer.
Sajedi e përshkruan rrezikun e përdorimit të shisheve plastike njëpërdorimëshe si serioz dhe bën thirrje për ndërgjegjësim të menjëhershëm publik. Ajo thekson se arsimi dhe informimi janë mënyra e vetme për të mbrojtur shëndetin publik:
“Uji në shishe mund të përdoret në raste emergjente, por jo për konsum të përditshëm. Problemi nuk është helmimi i menjëhershëm, por ai i akumuluar me kalimin e kohës.”
Studimet e fundit kanë gjetur grimca plastike në mushkëri, në placenta, në qumësht gjiri madje edhe në gjak, duke ngritur shqetësime të mëdha për penetrimin e tyre të thellë në sistemin biologjik të njeriut.
Në ujin e ambalazhuar, mikroplastikat krijohen gjatë prodhimit, ruajtjes dhe transportit, që do të thotë se konsumatori i gëlltit drejtpërdrejt nga burimi, pa kaluar nëpër zinxhirin ushqimor.
Një kërkim tjetër i zhvilluar në Australi zbuloi se mikroplastikat që gjenden në ambalazhet ushqimore mund të ndryshojnë mikroflorën e zorrëve, duke rritur rrezikun e kancerit të zorrës së trashë dhe depresionit.
Shkencëtarët paralajmërojnë se këto fragmente mund të ndikojnë në prodhimin e acideve në zorrë dhe të përçojnë substanca toksike që prishin metabolizmin bakterial.
Sajedi kërkon që qeveritë dhe autoritetet shëndetësore të rishikojnë politikat dhe ligjet që rregullojnë prodhimin dhe përdorimin e plastikave njëpërdorimëshe. Ajo propozon etiketa paralajmëruese në çdo shishe plastike dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për prodhuesit në lidhje me efektet shëndetësore që shkaktojnë produktet e tyre.
“Masat rregullatore duhet të jenë të detyrueshme për të mbrojtur shëndetin dhe mjedisin, duke siguruar një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të shëndetshme për të gjithë,” -thekson Sajedi.
Një gotë ujë mund të duket e pastër, por në brendësi fsheh mikrogrimca që as syri s’mund t’i shohë dhe as trupi s’mund t’i përballojë përjetësisht.