
Shërbimi i sigurisë i Kievit deklaron se sulmi në bazën ajrore Belbek goditi pajisje ushtarake me vlerë qindra miliona dollarë
Autoritetet ukrainase kanë deklaruar se një sulm i ri i ndërmarrë në Gadishullin e Krimesë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën ushtarake ruse. Sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, objektivi i goditur ka qenë baza ajrore Belbek, ku pretendohet se janë shkatërruar disa sisteme kyçe të forcave ruse.
Në deklaratën e publikuar nga pala ukrainase thuhet se gjatë sulmit është asgjësuar një avion luftarak MiG-31, i pajisur me armatim, si dhe dy sisteme të zbulimit me radar me rreze të gjatë veprimi. Po ashtu, sipas Kievit, janë goditur edhe një radar i tipit 92N6 dhe një sistem i mbrojtjes ajrore Pantsir-S2.
Autoritetet ukrainase vlerësojnë se pajisjet e shkatërruara përfaqësojnë një vlerë prej qindra miliona dollarësh dhe se goditja përbën një tjetër dëmtim të kapaciteteve ajrore dhe mbrojtëse të Rusisë në Krime.
Nga ana tjetër, Rusia nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për pretendimet e Ukrainës dhe informacionet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Sulmi i raportuar vjen në një kohë kur Krimea mbetet një nga pikat më të ndjeshme strategjike në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, me sulme dhe kundërsulme të shpeshta që synojnë objektiva ushtarake në rajon.
