
Trupat e Korpusit të 7-të raportojnë se dhjetëra ushtarë rusë u neutralizuan gjatë operacionit në rajonin e Harkivit
Forcat ukrainase kanë bërë të ditur se kanë penguar një përpjekje të re të ushtrisë ruse për të avancuar drejt qytetit të Kupianskut, duke përdorur një tubacion gazi si rrugë të fshehtë për infiltrimin e trupave.
Sipas njoftimit të Korpusi i 7-të i Reagimit të Shpejtë, operacioni rus synonte daljen e fshehtë dhe grumbullimin e forcave në zonën e Kupianskut, në verilindje të rajonit të Harkivit. Në këtë tentativë dyshohet se ishin përfshirë rreth 50 ushtarë, nga të cilët të paktën 40 janë neutralizuar.
Raportimet tregojnë se lëvizja ka ndodhur në veri të fshatit Novoplatonivka, pranë lumit Oskil, në një përpjekje për të avancuar drejt Kupianskut nga veriu dhe lindja. Sipas autoriteteve ukrainase, objektivi i Rusisë mbetet rikthimi i kontrollit mbi qytetin, i cili u rimor nga Ukraina gjatë kundërofensivës së vitit 2022.
Megjithëse kjo përpjekje përmes tubacionit nuk arriti qëllimin, ushtria ukrainase thotë se forcat ruse vazhdojnë të dërgojnë grupe të vogla për të depërtuar mes pozicioneve mbrojtëse. Përdorimi i kalimeve nëntokësore dhe tubacioneve të çaktivizuara konsiderohet një taktikë për të shmangur zbulimin nga dronët dhe artileria.
Sipas burimeve ukrainase, situata në sektorin e Kupianskut mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa njësitë mbrojtëse kanë intensifikuar masat për të parandaluar tentativa të ngjashme në vijën e frontit.
