
Raketa e re me rreze 3000 kilometra, e zhvilluar në Kiev, pritet të ndryshojë ekuilibrat e luftës duke goditur objektiva në thellësi të territorit rus.
Ukraina ka nisur prodhimin në seri të një prej raketave më të avancuara të saj, të quajtur “Flamingo”. Ky është një raketë e tipit lundrues me rreze veprimi prej 3000 kilometrash dhe një ngarkesë shpërthyese që kalon një ton, duke e bërë atë një nga armët më të fuqishme të këtij lloji në botë.
Sipas autoriteteve në Kiev, prodhimi pritet të arrijë deri në shtatë njësi në ditë deri në fund të vitit 2025. Ky ritëm i lartë synon të forcojë kapacitetet ushtarake të Ukrainës dhe t’i japë mundësinë ushtrisë të godasë objektiva strategjikë rusë, përfshirë zonat industriale dhe rafineritë e vendosura deri në Ural.
Raketa “Flamingo” është projektuar për të kombinuar shpejtësinë, precizionin dhe koston e ulët. Pasi lëshohet, motori reaktiv e shtyn atë të udhëtojë me një shpejtësi prej rreth 900 km/h. Inxhinierët ukrainas e kanë cilësuar këtë zhvillim si një hap të madh drejt pavarësisë teknologjike dhe fuqizimit të industrisë së mbrojtjes kombëtare.
Analistët ndërkombëtarë e shohin “Flamingo” si përgjigjen më të qartë të Kievit ndaj nevojës për të zgjeruar aftësinë goditëse në distancë të madhe, në një kohë kur frontet e luftës mbeten të ngërthyera dhe forcat ukrainase përpiqen të ruajnë balancën ndaj arsenalit të avancuar rus.
