Sistemet e mbrojtjes ajrore ruse rrëzuan 16 mjete ajrore pa pilot (UAV) ukrainase, që po udhëtonin drejt Moskës.
Ku informacion u dha nga kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin.
Në një seri postimesh në platformën Telegram, kryebashkiaku tha se sulmet me UAV ukrainas ndodhën gjatë një periudhe 17-orëshe. Deri më tani nuk janë raportuar viktima apo dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas Administratës Ruse të Aviacionit Civil, pati probleme të përkohshme me funksionimin e dy prej katër aeroporteve që i shërbejnë rajonit të kryeqytetit.
Në rajonin e Tulës, autoritetet raportuan 12 dronë të rrëzuar. Mbeturinat nga një dron i rrëzuar shkaktuan zjarr në një strukturë industriale, tha guvernatori rajonal Dmitry Milyaev nëpërmjet Telegram, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Forcat e armatosura ukrainase njoftuan se kishin goditur me dronë një fabrikë gome sintetike në rajonin e Tulës, në jug të Moskës, si dhe një vend depozitimi për dronë detarë në gadishullin e pushtuar të Krimesë.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 172 dronë u rrëzuan gjatë natës, gjysma e tyre pranë kufirit ukrainas.
Ukraina ka shtuar sulmet me dronë kundër Rusisë në muajt e fundit, duke synuar infrastrukturën ushtarake dhe energjetike në hakmarrje për një breshëri sulmesh ruse në territorin ukrainas.
