
Një hetim i gazetës Le Monde tregon se mijëra qytetarë ukrainas janë rekrutuar me forcë nga ushtria ruse për të luftuar kundër vendit të tyre, një në katër robër lufte të kapur nga Kievi janë ukrainas të detyruar të mbajnë uniformën e Moskës.
Sipas një hetimi të publikuar nga Le Monde, Rusia po zbaton një politikë sistematike rusifikimi dhe militarizimi në territoret e pushtuara të Ukrainës, duke i detyruar banorët lokalë të bëhen pjesë e ushtrisë pushtuese. Që prej fillimit të agresionit më 24 shkurt 2022, mijëra burra ukrainas të moshës 18 deri në 60 vjeç janë detyruar të marrin shtetësinë ruse dhe të rekrutohen në radhët e forcave të armatosura të Kremlinit, shpesh nën kërcënimin e ndëshkimit ose vdekjes.
Në një dëshmi të rrallë nga fronti, një ushtar ukrainas me emrin e luftës “Dave” rrëfen se gjatë një operacioni në Makiïvka, njësia e tij kapi katër ushtarë rusë, dy prej të cilëve rezultuan të ishin ukrainas nga Donetsku. “Nuk doja të luftoja kundër Ukrainës,” i kishte thënë njëri prej tyre, “por nuk kisha zgjidhje tjetër. O të shkoja në front, o vdisja.”
Ky fenomen, sipas Komisionerit të të Drejtave të Njeriut të Ukrainës, Dmytro Lubinets, është bërë tashmë masiv. Ai pohon se 25 për qind e robërve të luftës të kapur nga forcat ukrainase janë shtetas ukrainas të rekrutuar me forcë nga Rusia, një në katër. Këta burra, sipas tij, trajtohen njësoj si ushtarët rusë të rregullt dhe shpesh përfundojnë në vijën e parë të frontit për t’u përballur me bashkatdhetarët e tyre.
Në shumë raste, familjet e tyre në territoret e pushtuara nuk kanë asnjë informacion për fatin e tyre. Një pjesë e të rekrutuarve detyrohen të nënshkruajnë dokumente të rreme për “vullnetarizëm”, ndërsa të tjerë thjesht zhduken pas arrestimit nga autoritetet ruse lokale.
Ky raport i Le Monde vjen në një moment kur Kievi e ka akuzuar Moskën për krime të rënda lufte, përfshirë deportime të detyruara dhe rekrutime të paligjshme, duke kërkuar ndërhyrje nga institucionet ndërkombëtare. Ndërkohë, Kremlini vazhdon të mohojë akuzat, duke e paraqitur këtë politikë si pjesë të “operacionit të veçantë ushtarak” për “mbrojtjen e popullsisë ruse” në rajonet e pushtuara.
Pas më shumë se tre vitesh lufte, historia e këtyre burrave të detyruar të luftojnë kundër vendit të tyre mbetet një nga pasojat më tragjike dhe të errëta të agresionit rus në Ukrainë.