
E mitura po luante me shoqet në një godinë të braktisur me hapësira të pambyllura dhe boshesira ashensorësh; policia tentoi ta ringjallte, por vajza ndërroi jetë në vend
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Ishujt Kanarie, ku një vajzë 13-vjeçare ka ndërruar jetë pasi ra nga kati i pestë i një hoteli të braktisur 20-katësh në Tenerife. Sipas raportimeve, e mitura ishte duke luajtur me shoqet në godinën e papërfunduar kur u rrëzua duke përfunduar mbi shkëmbinjtë poshtë ndërtesës.
Hoteli, i njohur mes banorëve si monstroziteti i Añazas, është i braktisur prej më shumë se 50 vitesh dhe përmban boshte të hapura ashensori, dritare të rrezikshme dhe zona të pasigurta ku të rinjtë hyjnë shpesh për kuriozitet. Katër vajza ishin brenda objektit në momentin e ngjarjes; tre prej tyre njoftuan autoritetet menjëherë pas rënies së shoqes.
Policia mbërriti me urgjencë dhe tentoi reanimimin e vajzës, por ajo nuk u rikthye dot në jetë. Në vendngjarje ndërhynë edhe zjarrfikësit e Konsorciumit të Tenerife-s dhe shërbimet emergjente të Canary Islands SUC.
Policia dyshon se vajza jetonte në zonën e Añaza-s, megjithatë identiteti dhe kombësia e saj nuk janë bërë publike. Hetimet po drejtohen nga Njësia e Homicideve të Policisë Kombëtare dhe autoritetet kanë nisur verifikimin e sigurisë së objektit, i cili prej kohësh është konsideruar rrezik publik.
Vdekja e së miturës shënon viktimën e pestë në ndërtesën e lënë në harresë, gjë që ka nxitur reagime të ashpra nga komuniteti lokal, i cili kërkon masa urgjente për mbylljen ose shembjen e saj përpara se të ndodhin incidente të tjera tragjike.
