Specialistët e shëndetit publik paralajmërojnë se virusi AH3N2 po qarkullon me shpejtësi në Evropë dhe pritet të mbërrijë edhe në vendin tonë, ndërsa kërkojnë vaksinim urgjent për grupet e rrezikut.
Një valë e re gripi, e njohur si “gripi australian”, pritet të përfshijë Shqipërinë javët në vijim, duke sjellë një sezon të parakohshëm infeksionesh respiratore. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, aktualisht janë raportuar mbi 12 mijë raste të sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes në vetëm një javë, një shifër që ka nisur të rritet ndjeshëm në krahasim me shtatorin.
Megjithëse deri më tani nuk është konfirmuar ndonjë rast i izoluar i virusit të gripit, ekspertët paralajmërojnë se qarkullimi i shtameve AH3N2 dhe AH1N1 në Evropë është një sinjal që virusi mund të mbërrijë shumë shpejt edhe në Shqipëri.
“Po kemi një numër të lartë rastesh me simptoma gripale, por virusi ende nuk është izoluar laboratorikisht. Megjithatë, modeli i infeksioneve tregon një tendencë të qartë drejt shpërthimit të valës së parë të gripit,” deklaron epidemiologu Artan Simaku nga ISHP.
Qendrat shëndetësore në të gjithë vendin raportojnë fluks të shtuar pacientësh me temperaturë të lartë, kollë të thatë, dhimbje muskujsh dhe bronkite, sidomos tek fëmijët dhe të moshuarit.
Mjekët theksojnë se vaksinimi është mënyra më e sigurt për të parandaluar komplikimet e rënda, veçanërisht për personat me sëmundje kronike, punonjësit e shërbimeve dhe gratë shtatzëna.
Sipas Simakut, vaksina që po përdoret këtë sezon mbulon të dy shtamet kryesore që po qarkullojnë në Evropë, AH1N1 dhe AH3N2. “Vaksinimi duhet bërë tani, përpara se virusi të arrijë kulmin në dhjetor,” apelon ai.
Specialistët paralajmërojnë gjithashtu se përveç gripit, viruse të tjera respiratore, përfshirë COVID-19 dhe virusin respirator sinsicial, mund të përkeqësojnë situatën, sidomos tek fëmijët nën 5 vjeç dhe të moshuarit me imunitet të dobët.
Autoritetet shëndetësore po ndjekin me kujdes situatën epidemiologjike, ndërsa fushata e vaksinimit pritet të intensifikohet në ditët e ardhshme në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit.
